Avokate Edlira Grabova

SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9109, DT. 7.7.2003, “PËR PROFESIONIN E AVOKATIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,  Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.9109, datë 17.7.2003, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

 

Neni 1

Në nenin 9 bëhen shtesat e mëposhtme:

1.    Në fund të pikës 1 shtohen fjalët “… duke treguar kujdesin e një profesionisti të arsyeshëm sipas Kodit të Etikës së Avokatit.”.

2.    Në fund të pikës 6 shtohen fjalët “… si dhe kur ka këshilluar,  përfaqësuar ose ka pasur të bëjë në mënyrë tjetër profesionale me një palë tjetër në të njëjtën çështje.”.

3.    Pas pikës 9 shtohen pikat 10 e 11, me këtë përmbajtje:

 

“10. Avokati, në rastin e pengesës dhe për aq kohë sa zgjat ajo, me pëlqimin e personave që mbrohen ose përfaqësohen prej tij, mund të caktojë një zëvendësues, i cili ushtron të drejtat dhe merr përsipër detyrimet e avokatit. Pëlqimi i palës për caktimin e një zëvendësuesi mund të jepet në aktin e përfaqësimit.

11. Avokati duhet të lidhë kontratë sigurimi për të garantuar përgjegjësinë e tij ndaj palëve të treta, për shkak të ushtrimit të veprimtarisë së tij.”.

 

Neni 2

Pas nenit 9 shtohet neni 9/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 9/1

Rregullat e hollësishme për ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me këtë ligj, caktohen në statutin dhe në “Kodin e etikës së avokatit”, të miratuara nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.”.

 

Neni 3

Pas pikës  2, të nenit 11, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Ministri i Drejtësisë dhe këshilli drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pasi marrin mendimin e Ministrisë së Financave, caktojnë tarifat e shpërblimit të avokatëve për dhënien e ndihmës juridike, të cilat zbatohen kur nuk ka marrëveshje të ndryshme me shkrim mes avokatit dhe personit të mbrojtur ose të përfaqësuar prej tij dhe kur ndihma juridike nuk është dhënë sipas dispozitave për ndihmën juridike.”.

 

Neni 4

Pas nenit 16 shtohet neni 16/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 16/1

1.     Avokati ndjek programin e trajnimit vazhdues, të organizuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, dhe pajiset prej saj me vërtetimin përkatës për ndjekjen e këtij programi.

2.     Programi i trajnimit vazhdues synon përditësimin e avokatëve me njohuri specifike profesionale, teorike dhe praktike.

3.     Në rast të mospërmbushjes së detyrimit për ndjekjen e programit të trajnimit vazhdues nga avokati, zbatohet neni 46, i këtij ligji.

4.     Rregullat e hollësishme për pjesëmarrjen në trajnim, organizimin, kohëzgjatjen dhe mënyrën e zhvillimit të tij përcaktohen në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe rregulloren e programit të trajnimit, që miratohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.”.

 

Neni 5

Shkronja “ç”, e pikës 3, të nenit 19, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ç) zgjedh dhe shkarkon kryetarin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe këshillin drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Përcaktimi i numrit të anëtarëve të këshillit drejtues rregullohet në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.”

Neni 6

Në nenin 20 bëhen këto ndryshime:

1.    Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Këshilli drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë në takimin e tij të parë, me propozim të kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë zgjedh sekretarin e përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Sekretari i përgjithshëm shkarkohet nga këshilli drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me propozim të kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Procedurat e propozimit dhe të emërimit të sekretarit të përgjithshëm rregullohen në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.”.

2.    Shkronja “e”, e pikës  3, shfuqizohet.

 

Neni 7

Pas shkronjës “a”, të nenit 25, shtohet shkronja “a/1”, me këtë përmbajtje:

“a/1. Të ketë përfunduar me sukses programin e trajnimit për kandidatët për avokatë, në përputhje me rregullat e përcaktuara në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, si dhe rregulloren përkatëse të trajnimit, që miratohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.”.

 

Neni 8

Pas nenit 25 shtohet neni 25/1, me këtë përmbajtje:

 

“Neni 25/1

1.     Kandidati për avokat ndjek programin e trajnimit, të organizuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, dhe, pasi vlerësohet, pajiset prej saj me vërtetimin përkatës për ndjekjen e këtij programi.

2.    Programi i trajnimit synon përgatitjen e kandidatëve për avokat me njohuri specifike profesionale, teorike dhe praktike.

3.    Rregullat e hollësishme për pjesëmarrjen në trajnim, kohëzgjatjen dhe mënyrën e zhvillimit të tij përcaktohen në rregulloren e trajnimit të kandidatëve për avokat, që miratohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

4.    Shkolla Kombëtare e Avokatisë është organi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë që merret me përgatitjen e programeve të trajnimit, organizimin dhe administrimin e trajnimit fillestar të kandidatëve për avokat dhe trajnimin e vazhduar të avokatëve. Dhoma Kombëtare e Avokatëve duhet të krijojë këtë shkollë brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit.”.

 

Neni 9

Në pikat 1, 2 e 3, të nenit 27, pas fjalëve “… në provimin e kualifikimit …” shtohen fjalët “… ose  në programin e trajnimit …”.

 

Neni 10

Në nenin 28, fjalët “… në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 25, të këtij ligji, …” zëvendësohen me “… në shkronjat “a/1” dhe  “b”, të nenit 25, të këtij ligji, …”.

 

Neni 11

Neni 33 shfuqizohet.

 

Neni 12

Pas shkronjës “f”, të pikës  2, të nenit 34, shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:

“g) të dhëna për ndjekjen e programit të trajnimit vazhdues.”.

 

Neni 13

Pas shkronjës “f”, të pikës 2, të nenit 35, shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:

“g) të dhëna për ndjekjen e programit të trajnimit për kandidatët për avokatë.”.

 

Neni 14

Kreu VIII ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

 

“KREU VIII
PROCEDIMI DISIPLINOR I AVOKATËVE

 

Neni 37

Subjektet e përcaktuara në pikën 1, të nenit 39, paraqesin ankesë për:

a)    “Sjelljet joprofesionale të avokatit”, ku përfshihen veprimi në kundërshtim me dispozitat, ligjore apo nënligjore, si dhe ato të Kodit të Etikës.
b)    “Shërbimet e papërshtatshme profesionale”, ku përfshihen veprime apo mosveprime ndaj të përfaqësuarit, të cilat janë dukshëm nën nivelin e pritshmërisë së tij për një avokat.

 

Neni 38

1.    Avokati i nënshtrohet procedimit disiplinor nëse:

a)    ka vepruar në kundërshtim me rregullat e përcaktuara:

i.     në dispozitat ligjore dhe nënligjore që rregullojnë profesionin  e avokatit;
ii.     në dispozitat e Kodit të Etikës së Avokatit;
iii.     nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe dhomat e avokatisë;
iv.     në legjislacionin tatimor.
b)    ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore procedurale që rregullojnë veprimtarinë e avokatit, duke cenuar rëndë ose në mënyrë të përsëritur procesin e rregullt ligjor;
c)    ka kryer akte dhe sjellje të rënda që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e avokatit.

2.    Në rast të procedimeve penale që lindin nga të njëjtat rrethana si rrethanat që çojnë në procedim disiplinor, procedimi disiplinor pezullohet dhe afati kohor shtyhet deri në përfundim të procedimit penal dhe çdo dënim penal pranohet në procedimin disiplinor.

 

Neni 39

1.    Ankesat kundër avokatit mund të paraqiten nga:

a)    çdo person që mbrohet, përfaqësohet ose ndihmohet juridikisht prej tij;
b)    çdo person i interesuar, që pretendon se është dëmtuar nga sjellja apo veprimet e avokatit;
c)    organet drejtuese të dhomave të avokatisë;
ç) një avokat tjetër;
d) ministri i Drejtësisë;
dh) gjyqtarët dhe prokurorët;
e)  organet tatimore;
ë) çdo organ tjetër shtetëror, i parashikuar me ligj.

2.    Ankesat mund të bëhen brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e sjelljes ose veprimit të avokatit apo nga data e konstatimit të sjelljes ose veprimit të avokatit, por, në çdo rast, jo më vonë se 1 (një) vit nga momenti i kryerjes së shkeljes. Pas kalimit të këtij afati, ankuesi ka të drejtë të kërkojë pranë Komisionerit të Ankimeve rivendosjen në afat, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.

3.    Afati kohor për përfundimin e procesit disiplinor është 3 (tre) muaj nga data e depozitimit të ankesës. Ky afat mund të zgjatet me miratimin me shkrim të ankuesit dhe avokatit ose nga vetë Komisioneri i Ankimeve, kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme, për një periudhë jo më shumë se  6 (gjashtë) muaj nga data e depozitimit të ankesës.

 

Neni  40

1.    Ankesat për çdo sjellje ose veprim të avokatit i drejtohen kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i cili ia përcjell ankesën, brenda 5 (pesë) ditëve, Komisionerit të Ankimeve, duke njoftuar për këtë edhe ankuesin.

2.    Nëse kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë nuk e përcjell ankesën brenda afatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, ankuesi ka të drejtë ta paraqesë atë pranë Komisionerit të Ankimeve.
Neni 41

1.    Komisioner i Ankimeve caktohet nga këshilli drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë një person me integritet të lartë moral dhe profesional. Kriteret e emërimit dhe shkarkimit, statusi, si dhe mënyra e ushtrimit të përgjegjësive prej tij përcaktohen në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

2.    Komisioneri i Ankimeve është përgjegjës për të filluar procedimin disiplinor, si dhe për të shqyrtuar dhe hetuar për ankimin e paraqitur, brenda 20 (njëzet) ditëve nga momenti i regjistrimit të ankimit. Në përfundim të hetimeve, ai përgatit një relacion të hollësishëm për ankimin drejtuar Komitetit Disiplinor. Për kalimin e ankesës në Komitetin Disiplinor, Komisioneri i Ankimeve njofton njëkohësisht ankuesin dhe avokatin që është subjekt ankimi.

3.    Komisioneri i Ankimeve ushtron këto përgjegjësi:

a) Informon dhe ndihmon ankuesin gjatë procesit të përgatitjes së ankimit;
b) Regjistron dhe verifikon ankimin për plotësimin e kritereve të parashikuara në pikat 1 e 2, të nenit 39, të këtij ligji;
c)  Refuzon  ankimet që nuk plotësojnë kriteret e parashikuara në   pikat 1 e 2, të nenit 39, të këtij ligji;
ç)  Informon ankuesin për mospranimin e ankimit, si dhe për të drejtën për të paraqitur ankim ndaj vendimit të mospranimit përpara Komitetit Disiplinor;
d) Kërkon nga avokati që është subjekt ankimi shpjegime me shkrim lidhur me ankimin, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit;
dh)  I paraqet relacionin për ankimin Komitetit Disiplinor, duke njoftuar për këtë edhe ankuesin;
e)  Raporton përpara Komitetit Disiplinor, sa herë që kërkohet prej këtij komiteti;
ë) Përmbush detyrat e tij në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

4.    Nëse Komisioneri i Ankimeve nuk respekton afatin e përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, ankuesi ose, në rastin e një ankuesi gjyqtar, ministri i Drejtësisë,  ka të drejtë të paraqesë ankesën, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga kalimi i afatit, drejtpërdrejt pranë Komitetit Disiplinor, i cili, pasi verifikon shkeljen e afateve, cakton një nga anëtarët e tij si relator të çështjes. Ai ushtron, për aq sa është e mundur, përgjegjësitë e Komisionerit të Ankimeve dhe nuk merr pjesë në votimin përfundimtar të Komisionit.

5.    Kundër vendimit të Komisionerit të Ankimeve, ankuesi ose, në rastin e një ankuesi gjyqtar, ministri i Drejtësisë, ka të drejtë të paraqesë ankim, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit, pranë Komitetit Disiplinor.

 

Neni 42

1.    Komiteti Disiplinor është një organ kolegjial i përbërë nga:

a)    6 avokatë, të cilët zgjidhen me votim të fshehtë nga anëtarësia e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
b)    Një përfaqësues, i caktuar me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë;
c)    Një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë;
ç) Një përfaqësues i shoqërisë civile ose botës akademike, i zgjedhur   sipas rregullave të përcaktuara në statut.

2.    Kryetari i Komitetit Disiplinor zgjidhet nga këshilli drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë mes anëtarëve të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, për një mandat dyvjeçar, ndërsa anëtarët e tij zgjidhen për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.

3.    Komiteti Disiplinor ushtron këto përgjegjësi:

a)    Shqyrton vendimet e Komisionerit të Ankimeve, duke vendosur për:

1.    pranimin e ankesës dhe marrjen e masës disiplinore ndaj avokatit;
ii. mospranimin e ankesës.
b)    Në rast se vendos të pranojë ankesën e refuzuar nga Komisioneri i Ankimeve dhe fillimin e shqyrtimit të ankesës së paraqitur, ai emëron tre nga anëtarët e tij për të ushtruar funksionet e Komisionerit të Ankimeve.

4.    Komiteti Disiplinor zhvillon mbledhjet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të tij.

2.    Komiteti Disiplinor shqyrton dhe merr vendim për ankimin brenda                30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së ankimit apo dërgimit pranë tij. Vendimet e Komitetit Disiplinor merren me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm në mbledhje, duhet të jenë të arsyetuara dhe u njoftohen ankuesit dhe avokatit, kundër të cilit është paraqitur ankimi.

6.    Nëse Komiteti Disiplinor nuk respekton afatin e përcaktuar në pikën 3, të këtij neni, ankuesi ka të drejtë të paraqesë ankesën, brenda  15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e mbarimit të afatit, drejtpërdrejt në gjykatën administrative që ka kompetencë të drejtojë Komitetin Disiplinor për kryerjen e detyrave të tij dhe të shtyjë kohën.

7.    Kundër vendimit të Komitetit Disiplinor ankuesi dhe avokati, që është subjekt ankimi, kanë të drejtë të paraqesin ankim, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit, në gjykatën kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative.

3.    Rregullat e hollësishme të procesit disiplinor, të funksionimit të Komitetit Disiplinor, mënyrës së ushtrimit të përgjegjësive prej tij, si dhe shpërblimit të anëtarëve të tij përcaktohen në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

 

Neni 43

1.    Gjykata administrative shqyrton ankesat kundër vendimeve të Komitetit Disiplinor ose ankesat për procedim disiplinor të avokatëve, në rastin e parashikuar në pikën 6, të nenit 43, të këtij ligji, sipas afateve për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.

4.    Gjatë ushtrimit të përgjegjësive sipas këtij neni, gjykata zbaton dispozitat e legjislacioni në fuqi për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative, Kodit të Procedurës Civile, si dhe, për aq sa është e mundur, edhe rregullat e përcaktuara në këtë ligj.

 

Neni 44

1.    Masat disiplinore arsyetohen dhe merren sipas një procedure transparente dhe në përputhje me të drejtën për një proces të rregullt ligjor, e cila garanton të drejtën për t’u informuar, për të kërkuar sqarime rreth fakteve, për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.

2.    Palët në procedimin disiplinor kanë të drejtë të paraqiten dhe të japin shpjegime në seancë, vetë ose nëpërmjet mbrojtjes e përfaqësimit me avokat. Nëse njëra ose të dyja palët nuk paraqiten në seancë, pa motive të arsyeshme, Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë shqyrton çështjen dhe merr vendim në mungesë të tyre.

3.    Shpjegimet e palëve dhe dëshmitë në seancë mund të jepen me gojë ose me shkrim.

4.    Avokati, ndaj të cilit është paraqitur ankesa/kërkesa, duhet të paraqesë, me shkrim, argumentet e tij për ankesën/kërkesën brenda  15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit. Mosparaqitja e pretendimeve nga avokati nuk përbën shkak për mosvazhdimin e procedimit disiplinor.

5.    Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë pranon dëshmitë dhe dokumentet e paraqitura para tij, me cilësinë e provës, dhe i çmon ato sipas bindjes së formuar pas shqyrtimit të tyre në tërësi.

6.    Komisioneri i Ankimeve cakton një avokat për të përfaqësuar çështjen kundër avokatit para Komitetit Disiplinor.

Neni 45

1.    Masat disiplinore jepen bazuar në natyrën dhe rëndësinë e shkeljes. Vendimi mund të parashikojë një masë të përbërë nga dy ose më shumë lloje masash disiplinore, nëse kjo është e përshtatshme dhe në proporcion me shkeljen.

2.    Për shkeljet që klasifikohen si sjellje joprofesionale, Komiteti Disiplinor jep njërën nga masat disiplinore të mëposhtme:

a)  Heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit të avokatit;
b) Pezullimin e lejes për ushtrimin e profesionit të avokatit, për një periudhë prej 3 (tre) muajsh deri në 2 (dy) vjet;
c)  Gjobë nga 5 000 deri në 50 000 lekë;
ç) Rikthimin e pagesës ose anulimin e pagesës së shërbimit ndaj të përfaqësuarit;
d)  Urdhërimin e avokatit për të bërë provim, brenda një periudhe të caktuar, lidhur me etikën profesionale, sipas rregullave të përcaktuara në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
dh) Urdhërimin e avokatit për të bërë trajnim vazhdues shtesë, përfshirë edhe trajnim në një fushë të veçantë të ligjit;
e) Vërejtje me shkrim;
ë)  Këshillim për sjelljen në mënyrën e duhur në të ardhmen;
f)  Urdhër për t’i kërkuar ndjesë me shkrim ankuesit.

3.    Për shkeljet që janë klasifikuar si shërbim i papërshtatshëm profesional, Komiteti Disiplinor jep njërën nga masat disiplinore të mëposhtme:

a)  Urdhër për t’i kërkuar ndjesë ankuesit publikisht;
b) Rikthimin e pagesës ose anulimin e pagesës së shërbimit ndaj të përfaqësuarit;
c)  Pagimin e kompensimit për ankuesin deri në vlerën 100 000 lekë;
ç)  Urdhërimin e avokatit për të bërë trajnim vazhdues shtesë, përfshirë  edhe trajnim në një fushë të veçantë të ligjit.

6.    Vendimet e Komitetit Disiplinor, të cilat kanë marrë formë të prerë, përbëjnë tituj ekzekutiv. Rregullat për ekzekutimin e masave disiplinore, si dhe për mbikëqyrjen e ekzekutimit të tyre përcaktohen në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

 

Neni 46

1.    Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kryesisht ose me propozimin e dhomës së avokatëve, organeve gjyqësore, të prokurorisë, ministrit të Drejtësisë apo të personave të interesuar dhe në përputhje me nenin 44,  të këtij ligji, ka autoritet të heqë lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit, kur vërtetohet një nga rastet e mëposhtme:

a)    Leja është lëshuar në kundërshtim me kushtet e parashikuara në   nenin 25, të këtij ligji;
b)    Avokati ka përdorur dokumente të falsifikuara për të marrë lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit;
c)    Avokati vuan nga një sëmundje, sëmundje mendore ose dëmtime fizike, të cilat bëjnë të pamundur ushtrimin normal të profesionit;
ç)  Avokati është deklaruar i falimentuar;
d)  Avokati nuk ka paguar kontributin e anëtarësisë;
dh) Avokati ka shkelur rëndë ose në mënyrë të përsëritur rregullat për ushtrimin e profesionit të avokatit;
e)    Avokati është dënuar nga gjykata për kryerjen e një vepre penale, me përjashtim të disa veprave penale që nuk kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore, sipas përcaktimeve në “Kodin e Etikës së Avokatit”.

7.    Për avokatët e huaj, siç përcaktohet në pikën 2, të nenit 36, përveç rasteve të parashikuara më sipër në këtë nen, heqja e lejes së posaçme për ushtrimin e profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë bëhet edhe në rastin kur atij i është hequr leja e ushtrimit të profesionit të avokatit në shtetin e tij.

 

Neni 46/1

1.    Kur, në përfundim të procesit disiplinor, Komiteti Disiplinor e deklaron avokatin fajtor, përveç masave disiplinore të parashikuara në këtë ligj, mund të urdhërojë avokatin që:

a)    të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e problemit në fjalë;
b)    t’i kompensojë dëmin e shkaktuar ankuesit ose palëve të tjera të dëmtuara nga veprimet ose mosveprimet e tij, në masën që çmohet e drejtë nga Komiteti Disiplinor.

8.    Komiteti Disiplinor urdhëron avokatin e deklaruar fajtor të paguajë shpenzimet e palëve dhe të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për përballimin e çështjes disiplinore kundër tij. Përllogaritja e shpenzimeve bëhet sipas rregullave të përcaktuara me vendim të këshillit drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

 

Neni 46/2

Dhoma Kombëtare e Avokatisë regjistron vendimet për caktimin e masave disiplinore në regjistrin e masave disiplinore të avokatëve dhe njofton për këto vendime Ministrinë e Drejtësisë.

 

Neni 46/3

Nëse masa për heqjen ose pezullimin e së drejtës për ushtrimin e profesionit të avokatit merret ndaj një avokati sipas nenit 45 ose 46, avokati ka të drejtë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, të ankimojë vendimin para gjykatës. Ankimimi nuk pezullon vendimin për heqjen ose pezullimin e së drejtës për të ushtruar profesionin e avokatit, me përjashtim të rasteve kur pezullimi urdhërohet nga gjykata.”.

 

Neni 15

Pikat  2 dhe 3, të nenit 48, shfuqizohen.

 

Neni 16

Pas nenit 48 shtohet neni 48/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 48

9.     Kërkesat/ankesat për fillimin e procedimit disiplinor ndaj një avokati, që janë paraqitur përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe për të cilat nuk është dhënë vendim, evidentohen nga kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe i dërgohen Komisionerit të Ankimeve brenda   15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga emërimi i tij. Këto kërkesa/ankesa shqyrtohen sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj dhe konsiderohen si të paraqitura në datën e depozitimit të tyre te Komisioneri i Ankimeve.

10.    Dhoma Kombëtare e Avokatisë, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, merr masat për ndryshimin e statutit të saj, si dhe miratimin e akteve nënligjore, në  përputhje me parashikimet e këtij ligji.

11.    Organet e reja disiplinore, të përcaktuara në këtë ligj, zgjidhen ose emërohen brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Ministri i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë i njoftojnë, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, përfaqësuesit e tyre në organet disiplinore.

12.    Rregullat e përcaktuara në këtë ligj për programin e trajnimit të kandidatëve për avokatë dhe programin e trajnimit vazhdues të avokatëve fillojnë të zbatohen brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

13.    Kërkesa për kontratën e  sigurimit e përcaktuar në pikën 11, të nenit 9, zbatohet që nga data 1 janar 2014.”.

 

Neni 17

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Pages