Avokate Edlira Grabova

Per me teper mbi Profesionin e Avokatit ne RSH-Pjesa e pergjithshme

KREU I
PJESA E PËRGJITHSHME
Neni 1
Avokatia në Republikën e Shqipërisë është profesion i lirë, i pavarur, i vetërregulluar dhe i vetëdrejtuar.
Neni 2
Avokati jep ndihmë juridike nëpërmjet:
a) këshillimit ligjor për çështje të ndryshme;
b) përgatitjes së kërkesëpadive ose të kërkesave gjatë procedimit penal, si dhe të kërkesave ankimore, rekurseve kundër vendimeve gjyqësore, atyre të organit të prokurorisë, arbitrazhit ose të organeve të administratës publike;
c) përgatitjes së kërkesave drejtuar Gjykatës së Apelit, Gjykatës Kushtetuese, gjykatave ndërkombëtare dhe çdo organizmi në të cilin aderon Republika e Shqipërisë;
ç) përgatitjes së ankesave dhe kërkesave të personave fizikë ose juridikë;
d) përpilimit të akteve që i nënshtrohen veprimeve noteriale;
dh) hartimit të kontratave e të marrëveshjeve, si dhe të çdo dokumenti tjetër që sjell ose synon të sjellë pasoja juridike;
e) pranisë si mbrojtës në kohën e shoqërimit, ndalimit, arrestimit, gjatë procesit të hetimit, shqyrtimit gjyqësor të personave në çështjet penale;
ë) përfaqësimit të personave fizikë ose juridikë në çështjet civile dhe administrative, në gjykatë, në arbitrazh dhe në organe të tjera të administratës publike;
f) veprimeve të tjera të ndihmës juridike që parashikohen në ligj.
Neni 3
1. Avokati ushtron profesionin e tij individualisht ose në bashkëpunim me avokatë të tjerë, pasi është pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit dhe është regjistruar në organet tatimore. Avokatët mund të organizohen në zyra avokatie, të cilat regjistrohen në organet tatimore.
2. Avokati nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një zyre avokatie.
Neni 4
Avokati, gjatë ushtrimit të profesionit të tij, nuk mund të jetë, njëkohësisht, gjyqtar, prokuror, noter, nëpunës civil ose punonjës i administratës publike.
Neni 5
1. Avokati mund ta ushtrojë profesionin e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe përpara çdo gjykate, prokurorie ose organi të administratës publike. Në çdo rast, avokati, në ushtrimin e profesionit, identifikohet me numrin e lejes së ushtrimit të profesionit, si dhe kodin fiskal të tij apo të zyrës së avokatisë ku bën pjesë.
2. Avokati mund ta ushtrojë profesionin e tij edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjin e shtetit ku jepet ndihma juridike.
KREU II
TË DREJTAT DHE DETYRAT E AVOKATIT
Neni 6
1. Avokati, në funksion të ushtrimit të profesionit të tij, ka të drejtë të kërkojë nga institucionet e administratës publike, në përputhje me ligjin, shpjegime, të dhëna dhe dokumente, që kanë lidhje me çështjen ose personin që përfaqësohet ose mbrohet prej tij.
2. Institucionet e administratës publike, sipas kompetencës dhe procedurave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e tyre, janë të detyruara të përmbushin kërkesat e avokatit.
3. Në rast të mospërmbushjes së detyrimit të institucioneve të administratës publike ose nga entet e tjera jopublike, avokati ka të drejtë të paraqesë brenda 5 ditëve në gjykatë kërkesën për realizimin e detyrimit nëpërmjet një vendimi gjyqësor.
Neni 7
1. Avokati ka të drejtë të takojë personin e mbrojtur prej tij, në mënyrë private dhe pa kufizim kohor, në çdo gjendje të kufizimit të lirisë personale. Organet kompetente kanë të drejtë të mbikëqyrin takimin ndërmjet avokatit dhe personit të mbrojtur, por, në çdo rast, u ndalohet të dëgjojnë bashkëbisedimin ndërmjet tyre.
2. Organi i prokurorisë, gjykata, administrata e burgjeve dhe Policia e Shtetit janë të detyruara të sigurojnë praninë e avokatit, kur këtë e kërkon personi i mbrojtur prej tij, i ndaluar, i arrestuar ose që është duke vuajtur dënimin. Në të gjitha rastet, prania e avokatit duhet të sigurohet menjëherë.
3. Avokati nuk ka të drejtë t’i kërkojë dhe t’i ofrojë ndihmë juridike një personi të ndaluar ose të arrestuar, pa kërkesën e këtij të fundit.
Neni 8
Avokati ka të drejtë, në përputhje me procedurat hetimore, të marrë pjesë në proces, të pyesë personin e mbrojtur prej tij, dëshmitarët dhe ekspertët, të lexojë dhe të njohë në përfundim të hetimit të gjitha aktet e dokumentet, që janë të lidhura me çështjen dhe t’ i nënshkruajë ato.
Neni 9
1. Avokati ka për detyrë ta ushtrojë profesionin e vet me ndershmëri dhe dinjitet, të respektojë rregullat e etikës profesionale dhe të përdorë të gjitha mjetet e ligjshme për mbrojtjen me besnikëri të të drejtave dhe të interesave të personave që mbrohen ose përfaqësohen prej tij.
2. Avokati duhet të sigurojë që asnjë konflikt interesash nuk ekziston ndërmjet tij dhe personit që mbron ose përfaqëson.
3. Avokatit i ndalohet të bëjë publike të dhënat, që i ka mësuar nëpërmjet personit të mbrojtur ose të përfaqësuar prej tij ose nga dokumentet që ky i fundit i ka vënë në dispozicion, në funksion të mbrojtjes së kërkuar, me përjashtim të rastit kur ai ka dhënë miratimin e tij me shkrim.
4. Avokatit i ndalohet të bëjë kallëzim në organin e ndjekjes penale dhe nuk mund të pyetet si dëshmitar për personin, të cilit i ka kryer shërbime dhe ndihmë juridike, si dhe për rrethana që ai i ka mësuar gjatë ushtrimit të profesionit të avokatit.
5. Avokatit i ndalohet të marrë pjesë në një çështje, kur ai ka qenë i ngarkuar më parë në të si gjykatës, prokuror, oficer i Policisë Gjyqësore ose si dëshmitar.
6. Avokati nuk lejohet të japë ndihmë ligjore ose të përfaqësojë një person, kur ka këshilluar ose ka përfaqësuar më parë palën kundërshtare në të njëjtën çështje, ose kur avokati ka lidhje gjaku apo ka interes të njëjtë me palën kundërshtare.
7. Avokatët, që shërbejnë në të njëjtën zyrë avokatie, nuk lejohen të përfaqësojnë palët kundërshtare në të njëjtën çështje.
8. Avokatët, që ushtrojnë profesionin e tyre pranë së njëjtës zyrë avokatie, prezumohet se janë në dijeni dhe zotërojnë dokumentet për këdo që është mbrojtur apo përfaqësuar nga zyra e tyre.
9. Përveç rasteve të parashikuara më sipër në këtë nen, avokati është i detyruar të sigurohet se nuk vepron në konflikt me interesat e personit që mbrohet ose përfaqësohet prej tij. Kur avokati dyshon se është duke vepruar në konflikt interesash, ai duhet të marrë miratimin me shkrim nga palët, të cilat mendohet se preken nga ky konflikt interesash.
Neni 10
Avokatët, në përputhje me dokumentacionin standard, të miratuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duhet të mbajnë një libër shënimesh ku shënohen të gjitha shërbimet ligjore të dhëna, kontratat, me shkrim, duke përdorur sistemin numerik, emrin e tij, si dhe emrin e zyrës së avokatisë.
Neni 11
1. Shpërblimi i avokatit për punën e kryer caktohet në një nga mënyrat e mëposhtme:
a) me marrëveshje ndërmjet tij dhe palës së mbrojtjur ose të përfaqësuar prej tij;
b) nga gjykata ose prokuroria, kur ai është caktuar kryesisht ose kur personi i mbrojtur ose i përfaqësuar nuk ka mundësi financiare dhe ndihma ligjore për të është falas.
Masa e shpërblimit për këto raste përcaktohet me vendim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
c) me ligj.
2. Në të gjitha rastet, avokatit nuk i lejohet të marrë shpërblim tjetër.
Neni 12
1. Avokati nuk mund të kërkojë nga personi që mbron ose përfaqëson, që të shpërblehet prej tij me përqindje gjatë procesit të gjykimit.
2. Shpërblimi me përqindje, i parallogaritur ose jo, mund të paguhet vetëm kur është parashikuar në marrëveshjen ndërmjet avokatit dhe personit që ai mbron ose përfaqëson, për rastin mbrojtjes apo përfaqësimit të suksesshëm të çështjes.
3. Avokatit i lejohet të paguhet me komision në rastet kur siguron kthimin e huasë për personin që mbrohet ose përfaqësohet prej tij jogjyqësisht.
Neni 13
1. Nëse avokati vendos të heqë dorë nga përfaqësimi ose mbrojtja e mëtejshme e një personi, është i detyruar ta njoftojë atë 15 ditë përpara mbarimit të shërbimit nga ana e tij.
2. Avokati është i detyruar t’i shërbejë klientit të tij gjatë periudhës 15-ditore para mbarimit të shërbimit dhe t’ï njoftojë atij çdo të dhënë për çdo shumë parash, prona apo kompensim që avokati mban për klientin.
3. Brenda 15 ditëve nga dhënia e njoftimit, avokati duhet t’i kthejë klientit të gjitha dokumentet e lidhura me çështjen ose t’i dërgojë ato në adresën e treguar nga avokati i ngarkuar rishtas.
Gjithashtu, avokati është i detyruar t’i kthejë klientit parapagimin që ka marrë prej tij, përveç kur, bashkërisht, merren vesh ndryshe.
Neni 14
Nëse personi, që përfiton ndihmën juridike nga avokati, vendos të zgjidhë kontratën përpara përfundimit të çështjes ose shërbimit, avokati ka të drejtën të kërkojë shpërblimin për punën e kryer.
Neni 15
Avokati ka të drejtë të transferohet nga një dhomë në një dhomë tjetër avokatie, për sa kohë që paguan kontributet përkatëse të anëtarësisë. Në këtë rast ai duhet të marrë një miratim, si nga dhoma që largohet, ashtu edhe nga dhoma ku ai dëshiron të bëhet anëtar.
Neni 16
1. Avokati, kryesisht apo për shkak të ligjit, duhet të heqë dorë përkohësisht nga ushtrimi i profesionit të tij, për aq kohë sa është në marrëdhënie pune me administratën publike.
2. Për të gjitha rastet e treguara në pikën 1 të këtij neni, avokati duhet të njoftojë me shkrim dhomën e avokatëve ku bën pjesë.
3. Në rast të ndërprerjes së ushtrimit të profesionit të avokatit për arsye të moshës ose shëndetit, nëse nuk ushtron një veprimtari tjetër, avokati ka të drejtë të jetë anëtar i dhomës së avokatisë, si dhe të marrë pjesë në veprimtaritë që organizohen prej saj.
KREU III
ORGANET DREJTUESE DHE KOMPETENCAT E DHOMËS KOMBËTARE
TË AVOKATISË DHE TË DHOMAVE TË AVOKATISË
Neni 17
1. Dhoma Kombëtare e Avokatisë është person juridik, që ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga shteti.
2. Dhoma Kombëtare e Avokatisë përgjigjet për rregullimin dhe kontrollin e ushtrimit të profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë.
3. Rregullat e hollësishme të organizimit dhe funksionimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë parashikohen në statutin e saj.
4. Dhoma Kombëtare e Avokatisë është përgjegjëse për themelimin e dhomave të avokatisë. Numri minimal i avokatëve, që mund të formojnë një dhomë avokatie, caktohet në Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
5. Çdo avokat mund të jetë anëtar vetëm i një dhome avokatie. Çdo dhomë është e përbërë nga avokatë, të cilët janë anëtarë të saj dhe që praktikojnë ose kanë praktikuar për herë të fundit profesionin e avokatit në juridiksionin e saj.
6. Çdo dhomë avokatie ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur, duke respektuar rregullat e parashikuara në ligj dhe në statutin e vendimet e tjera, të miratuara nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Neni 18
Organet drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe të dhomave të avokatisë janë, përkatësisht, Këshilli i Përgjithshëm dhe Këshilli Drejtues.
Neni 19
1. Organi më i lartë i përfaqësimit dhe vendimmarrjes së Dhomës Kombëtare të Avokatisë është Këshilli i Përgjithshëm.
2. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përbëhet nga jo më pak se një përfaqësues i zgjedhur për këtë qëllim nga çdo dhomë avokatie, sipas statutit.
3. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ushtron këto kompetenca:
a) miraton Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
b) miraton “Kodin e etikës së avokatit”;
c) përcakton, duke u bazuar në kriterin e vjetërsisë në profesionin e avokatit, të aftësive profesionale të treguara dhe në edukimin profesional e akademik të posaçëm dhe pas konsultimeve me Ministrin e Drejtësisë, listën e avokatëve që mund të ushtrojnë profesionin e tyre përpara gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, si dhe në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Kriteret më të hollësishme për këtë përzgjedhje përcaktohen në Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
ç) zgjedh jo më pak se 5 anëtarë të saj në Këshillin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
d) cakton kontributin që derdhin dhomat e avokatisë në Dhomën Kombëtare të Avokatisë;
dh) shqyrton dhe miraton llogaritë vjetore dhe buxhetin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
e) analizon veprimtarinë e dhomave të avokatisë, nëse ajo është në përputhje me këtë ligj dhe me Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
ë) ndihmon e bashkërendon veprimtaritë e dhomave të avokatisë, në mënyrë që të garantojë mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të avokatëve, si dhe të dhomave të avokatisë;
f) miraton rregullat e përgjithshme për zhvillimin e provimit të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit;
g) miraton rregullat dhe kushtet që duhet të përmbushen nga asistentët në periudhën e stazhit për avokat, si dhe për trajnimin profesional të tyre.
4. Vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për miratimin e akteve të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 3 të këtij neni, quhen të miratuara kur për to kanë votuar jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
Neni 20
1. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve Kryetarin, Zëvendëskryetarin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të tij.
2. Rregulla më të hollësishme për organizmin dhe funksionimin e administratës mbështetëse të Këshillit Drejtues, caktohen në statut.
3. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ushtron këto kompetenca:
a) thërret Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
b) përgatit Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
c) përgatit “Kodin e etikës së avokatit”;
ç) përfaqëson Dhomën Kombëtare të Avokatisë në marrëdhënie më të tretët, sipas rregullave të caktuara në statut;
d) përgatit llogaritë vjetore për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
dh) shqyrton dhe miraton kërkesat për lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatisë;
e) revokon me ose pa afat, ose heq lejen për ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me ligjin dhe Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
ë) merr masa për ndjekjen e vazhdueshme të zbatimit të vendimeve të marra nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Neni 21
Këshilli i përgjithshëm i çdo dhome avokatie ka këto kompetenca:
a) zgjedh përfaqësues të saj në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në përputhje me numrin maksimal të pjesëmarrjes, të vendosur nga kjo e fundit;
b) zgjedh anëtarët e Këshillit Drejtues, kryetarin dhe sekretarin e dhomës;
c) shqyrton dhe analizon ecurinë në punë dhe trajnimin profesional të avokatëve dhe të asistentëve, që bëjnë pjesë në dhomën e avokatisë;
ç) promovon tek anëtarët e saj mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, të ligjit, statutit dhe “Kodit të etikës së avokatit”;
d) përfaqëson dhe mbron interesat e anëtarëve të saj;
dh) shqyrton dhe nëse çmon, miraton vendimet e marra nga Këshilli Drejtues i dhomës së avokatisë;
e) mban regjistrin e anëtarëve, që ushtrojnë apo kanë ushtruar profesionin e avokatit në atë juridiksion, si dhe njofton Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për çdo ndryshim në përbërjen e saj.
Neni 22
Këshilli Drejtues i dhomës së avokatisë ushtron këto kompetenca:
a) thërret mbledhjen e përgjithshme të dhomës së avokatisë;
b) përgatit çdo vit llogaritë vjetore, për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Përgjithshëm;
c) trajton çdo kërkesë për anëtarësi dhe, nëse çmon, i rekomandon Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhënien e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit;
ç) shqyrton dhe miraton statutin e zyrave të avokatisë, që vendosen në juridiksionin e saj, kur çmon përputhshmërinë e tij me ligjin dhe rregullat e miratuara nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
d) cakton, me pëlqimin e tyre, avokatin apo zyrën e avokatisë, ku stazhieri do të përmbushë detyrimet e tij;
dh) cakton avokat për të ndjekur çështjet gjyqësore, kur i kërkohet nga gjykata;
e) cakton një avokat, që të marrë përsipër çështje, të cilat janë braktisur nga një avokat i mëparshëm dhe klienti nuk ka mundur të gjejë një tjetër;
ë) shqyrton ankesat kundër asistentëve të avokatëve, që ushtrojnë profesionin në juridiksionin e vet, si dhe merr masa disiplinore që i çmon të përshtatshme, në përputhje me ligjin, “Kodin e etikës së avokatit” dhe të statutit të vetë dhomës së avokatisë;
f) përmbush detyra të tjera të parashikuara në statutin e dhomës së avokatisë apo i që i caktohen nga Këshilli i Përgjithshëm i saj.
Neni 23
1. Dhoma mund të hapë llogari bankare në një bankë, që është e licencuar të ushtrojë biznes bankar në Republikën e Shqipërisë, për të mbajtur paratë e klientëve të ndryshëm të avokatëve anëtarë të dhomës, si garanci bankare për çështje që parashikojnë pagesa të mëdha.
2. Tërheqja e shumave nga ajo llogari duhet të kryhet me dy firma, njëra nga të cilat duhet të jetë nga kryetari, zëvendëskryetari ose sekretari i përgjithshëm i dhomës dhe firma tjetër duhet të jetë nga klienti përkatës. Interesi bankar i përfituar nga ky operacion duhet t’i kalojë dhomës.

ZYRA E AVOKATISË

Neni 24
1. Kur një ose më shumë avokatë dëshirojnë të themelojnë një zyrë avokatie, ata, fillimisht, duhet të dërgojnë aktin e themelimit dhe statutin e saj për shqyrtim dhe miratim në Këshillin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
2. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë duhet të miratojë statutin e zyrës së avokatisë brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës. Nëse ai nuk është dakord me statutin e paraqitur, ajo duhet t’ia kthejë të interesuarit modelin e paraqitur së bashku me kërkesën e saj për ndryshimet, që dhoma mendon se i duhen bërë statutit. Aplikanti duhet të kthejë projektin e ndryshuar brenda 15 ditëve.
2/1 Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë miraton hapjen e zyrës së avokatisë, pas regjistrimit të saj në organet e regjistrimit të biznesit, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
KUSHTET PËR USHTRIMIN E PROFESIONIT TË AVOKATIT
Neni 25
Profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë mund ta ushtrojë çdo shtetas shqiptar që plotëson kushtet e mëposhtme:
a) të ketë kryer arsimin e lartë juridik brenda vendit ose jashtë vendit, por të njësuar me të;
b) të jetë regjistruar në një dhomë avokatie dhe në Ministrinë e Drejtësisë si asistent pranë një avokati, të ketë përfunduar periudhën njëvjeçare të stazhit dhe të ketë marrë mendimin pozitiv të avokatit;
c) të ketë marrë më shumë se 50 për qind të pikëve në provimin e kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatisë;
ç) të gëzojë integritet moral dhe qytetar, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, si dhe të plotësojë kërkesat e etikës për ushtrimin e profesionit të avokatit;
d) të mos jetë dënuar për vepra penale të kryera me dashje, sipas parashikimeve të “Kodit të etikës së avokatit”;
dh) të mos jetë pjesëmarrës në marrëdhënie apo veprimtari publike ose private, të cilat, sipas ligjit, Statutit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe “Kodit të etikës së avokatit”, janë të papajtueshme ose të papërshtatshme me figurën dhe ushtrimin e profesionit të avokatit;
e) të jetë anëtar i dhomës së avokatisë në juridiksionin e së cilës ndodhet zyra e tij e punës;
ë) të jetë pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të jetë regjistruar në organet tatimore.
Neni 26
1.Provimi i kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit zhvillohet përpara një komisioni me këtë përbërje:
a) tre anëtarë të caktuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
b) një anëtar i caktuar nga Ministri i Drejtësisë;
c) një anëtar i caktuar ndërmjet punonjësve akademikë të Shkollës së Magjistraturës.
2. Rregullat e funksionimit, numri i kandidatëve për avokat, si dhe mënyra se si do të zhvillohet provimi, vendosen rast pas rasti nga Këshilli Drejtues i Dhomës së Avokatisë.
Neni 27
1. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kryesisht ose mbi kërkesën e personit që kërkon të ushtrojë profesionin e avokatit, ka të drejtë që ta përjashtojë nga detyrimi i pjesëmarrjes në provimin e kualifikimit, nëse për këtë vendoset me shumicën e votave të fshehta të të gjithë anëtarëve të saj.
2. Përjashtimi nga detyrimi i pjesëmarrjes në provimin e kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit mbështetet në kohëzgjatjen e tyre në ushtrimin e profesionit të juristit, aftësitë profesionale të treguara dhe edukimin e posaçëm profesional e akademik. Rregulla të hollësishme për kushtet dhe kriteret e përjashtimit nga provimi i kualifikimit caktohen nga Statuti i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
3. Vendimi për përjashtimin nga detyrimi, për dhënien e provimit të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit, miratohet nga Ministri i Drejtësisë.
Neni 28
Personat që kanë punuar jo më pak se 2 vjet si gjyqtarë, prokurorë, noterë, si dhe jo më pak se 3 vjet në pozicionin e drejtuesit, këshilltarit apo specialistit të strukturave juridiko-profesionale të Presidencës, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, aparatit të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë, avokatët e strukturave të Avokaturës së Shtetit, si dhe në atë të punonjësit akademik të brendshëm të lëndëve juridike në shkollat e larta, përjashtohen nga përmbushja e detyrimit të parashikuar në shkronjën “b” pika 1 të nenit 25 të këtij ligji.
Neni 29
1. Avokati ka të drejtë të ketë një ose më shumë asistentë.
2. Asistentët zgjidhen nga vetë avokati ndërmjet personave të diplomuar juristë, që nuk kanë marrë lejen për ushtrimin e profesionit të avokatit.
3. Avokati ka për detyrë që, brenda 15 ditëve nga ajo e lidhjes së marrëdhënieve të punës me asistentin, të depozitojë dokumentacionin e tij për regjistrim në dhomën e avokatisë ku është anëtar, në Dhomën Kombëtare të Avokatisë, si dhe në Ministrinë e Drejtësisë.
4. Me autorizimin me shkrim të avokatit dhe, kurdoherë, me pëlqimin me shkrim të klientit, asistenti përfaqëson ose mbron të interesuarit në periudhën hetimore, në gjykimin e kundërvajtjeve penale dhe në seancat përgatitore për çështjet civile.
Neni 30
1. Kërkesa për ushtrimin e profesionit të avokatit i drejtohet, si rregull, dhomës së avokatisë ku kërkuesi ka vendbanimin e tij.
2. Dhoma e avokatisë, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës për ushtrimin e profesionit të avokatit, duhet të marrë në shqyrtim kërkesën dhe, së bashku me mendimin e saj, e përcjell për shqyrtim në Këshillin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
3. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës, duhet të njoftojë kërkuesin, nëse ai i plotëson kushtet për të marrë pjesë në provimin e kualifikimit, si dhe për ditën e caktuar për zhvillimin e tij.
Neni 31
1. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë shpall datat e zhvillimit të provimeve të kualifikimit, për ushtrimin e profesionit të avokatit, për atë vit kalendarik.
2. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, brenda muajit janar të çdo viti, miraton edhe përfaqësuesit e tij në komisionin e provimit të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit.
Neni 32
Në qoftë se kandidati për avokat nuk arrin të grumbullojë minimumin e pikëve të nevojshme kualifikuese për ushtrimin e profesionit të avokatit, ai mund të marrë pjesë përsëri në provimin kualifikues, me kusht që të kryejë edhe gjashtë muaj të tjerë periudhë stazhi si asistent pranë një avokati.
Neni 33
1. Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kryesisht ose me propozimin e dhomës së avokatëve, organeve gjyqësore, të prokurorisë, Ministrit të Drejtësisë apo të personave të interesuar, është organi kompetent për heqjen e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit.
Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përgjigjet dhe kontrollohet nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, sipas rregullave të përcaktuara në statut ose nga vetë ai.
2. Rregulla të hollësishme për përbërjen dhe funksionimin e Komitetit Disiplinor dhe të komisioneve të posaçme disiplinore të Dhomës Kombëtare të Avokatisë caktohen në statut.
3. Leja për ushtrimin e profesionit të avokatit hiqet, kur vërtetohet një nga rastet e mëposhtme:
a) është lëshuar në kundërshtim me kushtet e parashikuara në nenin 25 të këtij ligji;
b) vërtetohet se avokati ka përdorur dokumente të falsifikuara për të marrë lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit;
c) vuan nga një sëmundje, sëmundje mendore ose dëmtime fizike, të cilat bëjnë të pamundur ushtrimin normal të profesionit;
ç) është deklaruar i falimentuar;
d) nuk ka paguar kontributin e anëtarësisë;
dh) ka shkelur rëndë ose në mënyrë të përsëritur rregullat për ushtrimin e profesionit të avokatit;
e) është dënuar nga gjykata për kryerjen e veprave penale, me dashje, që janë parashikuar në “Kodin e etikës së avokatit”.
4. Për avokatët e huaj, përveç rasteve të parashikuara më sipër në këtë nen, heqja e lejes së posaçme për ushtrimin e profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë, bëhet edhe në rastin kur atij i është hequr leja e ushtrimit të profesionit të avokatit në shtetin e tij.
6. Avokati i proceduar disiplinarisht ka të drejtë të marrë pjesë dhe të dëgjohet nga komisioni disiplinor, personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi të caktuar prej tij, ndërmjet avokatëve.
7. Avokati përfaqësues duhet të jetë i pranishëm gjatë gjithë periudhës së shqyrtimit të çështjes.
REGJISTRAT E DHOMËS KOMBËTARE TË AVOKATISË
Neni 34
1. Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Ministria e Drejtësisë mbajnë pranë tyre regjistrin e të gjithë avokatëve, si dhe administrojnë dokumentacionin përkatës, që lidhet me të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit.
2. Regjistri i avokatëve, për secilin prej tyre, përmban të dhënat e mëposhtme:
a) identitetin;
b) datëlindjen;
c) shkollën e lartë ku avokati është diplomuar si jurist;
ç) titujt dhe gradat shkencore;
d) nivelin e njohurive në gjuhë të huaja;
dh) dhomën e avokatisë ku është anëtar, në juridiksionin e së cilës, si rregull, avokati ushtron profesionin e tij;
e) adresën e zyrës së tij ose adresën dhe emrin e zyrës së avokatisë, nëse avokati është anëtar i saj;ë) të dhëna mbi thyerjen e disciplines;
f) kopje të vulës së avokatit ose zyrës së avokatisë. Vula duhet të jetë unike dhe duhet të përmbaje titullin “Avokat” dhe identitetin e avokatit ose të zyrës së avokatisë. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përcakton formën, përmbajtjen, procedurën e përgatitjes dhe të shpërndarjes së tyre.
3. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka në kompetencë të vendosë që, përveç të dhënave të treguara në pikën 2 të këtij neni, në regjistrin e avokatëve të pasqyrohen edhe të dhëna të tjera.
4. Dhoma e avokatisë, për juridiksionin e saj, mban regjistrin e avokatëve dhe dokumentacionin përkatës, sipas listës së të dhënave të treguara në këtë nen.
Neni 35
1. Dhoma Kombëtare e Avokatisë, dhomat e avokatisë për juridiksionin e saj, si dhe Ministria e Drejtësisë, mbajnë regjistrin e asistentëve, si dhe administrojnë dokumentacionin përkatës për ushtrimin e veprimtarisë së tyre.
2. Regjistri i asistentëve, për secilin prej tyre, përmban të dhënat e mëposhtme:
a) adresën e zyrës së tij ose adresën dhe emrin e zyrës së avokatisë, nëse avokati është anëtar i saj;
b) identitetin;
c) datëlindjen;
ç) shkollën e lartë ku asistenti është diplomuar si jurist;
d) titujt dhe gradat shkencore, nëse ka të tilla;
dh) nivelin e njohurive në gjuhë të huaja;
e) datën e fillimit dhe të përfundimit të periudhës së stazhit, të nevojshme për pranimin e pjesëmarrjes së tij në provimin e kualifikimit, për ushtrimin e profesionit të avokatit;
ë) datat e provimit të kualifikimit, në rast se nuk është kualifikuar;
f) emrin dhe adresën e avokatit, pranë të cilit ushtron veprimtarinë e tij si asistent.
2. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka në kompetencë të vendosë që, përveç të dhënave të treguara në pikën 2 të këtij neni, në regjistrin e asistentëve të pasqyrohen edhe të dhëna të tjera.
AVOKATI I HUAJ
Neni 36
1. Shtetasi i huaj mund të ushtrojë profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë nëse plotëson kushtet e parashikuara në këtë ligj për shtetasit shqiptarë dhe pas dhënies së provimit të kualifikimit në gjuhën shqipe.
2. Rregullat për dhënien e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit të huaj përcaktohen nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
ANKIMET DHE PROCEDURAT DISIPLINORE
Neni 37
1. Ankesat/kërkesat ndaj çdo sjelljeje ose veprimi të avokatit i drejtohen kryetarit të dhomës së avokatisë. Kryetari i dhomës së avokatisë ia përcjell ankesën/kërkesën komisionit të verifikimit të ankimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë brenda 5 ditëve kalendarike nga data e dorëzimit.
2. Ankesat/kërkesat kundër avokatit mund të paraqiten nga:
a) çdo person që mbrohet, përfaqësohet ose ndihmohet juridikisht prej tij;
b) çdo person i tretë, që pretendon se është dëmtuar nga sjellja apo veprimet e avokatit;
c) organet drejtuese të dhomave të avokatisë;
ç) gjyqtarët dhe prokurorët;
d) Ministri i Drejtësisë;
dh) çdo organ tjetër shtetëror, i parashikuar me ligj.
Neni 38
Avokati i nënshtrohet procedimit disiplinor kur:
a) ka vepruar në kundërshtim me parashikimet e dispozitave ligjore, që rregullojnë veprimtarinë e avokatit dhe me legjislacionin tatimor;
b) ka vepruar në kundërshtim me rregullat e parashikuara në Kodin e Etikës së Avokatit dhe me rregullat e tjera të përcaktuara nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe dhomat e avokatisë.
Neni 39
1. Për shqyrtimin e kërkesave/ankesave për procedim disiplinor ndaj avokatëve krijohet komisioni i verifikimit të ankimit i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me avokatë të zgjedhur me short nga lista e përfaqësuesve, me këtë përbërje:
a) 3 përfaqësues nga Dhoma e Avokatisë, Tiranë;
b) 1 përfaqësues, secila, nga dhomat e tjera të avokatisë.
2. Për shqyrtimin e ankesës/kërkesës për procedim disiplinor ndaj një avokati të caktuar, komisioni i verifikimit të ankimit i Dhomës Kombëtare të Avokatisë zgjedh nënkomisionin e verifikimit të ankimit, i cili ka në përbërje:
a) kryetarin e komisionit të verifikimit të ankimit, në cilësinë e kryetarit të këtij nënkomisioni;
b) dy avokatë të zgjedhur me short nga anëtarët e komisionit të verifikimit të ankimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe një avokat, që përfaqëson dhomën e avokatisë nga ka ardhur ankimi, në cilësinë e anëtarëve.
Kryetari i komisionit të verifikimit të ankimit zgjidhet nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Rregullat e hollësishme për procedurën e zgjedhjes dhe të funksionimit të komisionit të verifikimit të ankimit e për zgjedhjen e kryetarit të këtij komisioni përcaktohen në rregulloren e zgjedhjes dhe të funksionimit të komisionit të verifikimit të ankimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Neni 40
1. Procedimi disiplinor përbëhet nga fazat e verifikimit, të refuzimit apo të kalimit në gjykim të kërkesës/ankesës dhe të gjykimit.
Procedimi disiplinor fillon me paraqitjen e kërkesës/ankesës nga subjektet e përcaktuara në nenin 37 të këtij ligji.
2. Kryetari i komisionit të verifikimit të ankimit, brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës/ankesës, cakton përbërjen e nënkomisionit të verifikimit të ankimit.
3. Avokati, ndaj të cilit është paraqitur ankesa/kërkesa, duhet të paraqesë, me shkrim, pretendimet e tij për ankesën/kërkesën brenda 15 ditëve nga data e marrjes së njoftimit. Mosparaqitja e pretendimeve nga avokati para nënkomisionit të verifikimit të ankimit nuk përbën shkak për mosvazhdimin e procedimit disiplinor.
4. Afatet procedurale të verifikimit të ankesës/kërkesës fillojnë nga data e mbërritjes së saj në komisionin e verifikimit të ankimit. Ky komision merr vendim brenda 60 ditëve nga data e marrjes së ankesës/kërkesës.
Për çështje, të cilat kërkojnë hetime të posaçme e të specializuara, ky afat mund të zgjatet edhe 30 ditë të tjera.
Neni 40/1
1. Nënkomisioni i verifikimit të ankimit, pasi bën verifikimet e nevojshme, dëgjon pretendimet e palëve dhe, sipas rastit, vendos fillimin e procedimit disiplinor kundër avokatit, ose refuzimin e fillimit të procedimit.
2. Vendimi i nënkomisionit të verifikimit të ankimit për refuzimin e ankimit mund të ankimohet në komitetin disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë brenda 10 ditëve nga subjekti që ka paraqitur ankesën/kërkesën. Vendimi i komitetit disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë është i paankimueshëm nga subjekti që paraqet ankesën/kërkesën.
3. Kur nënkomisioni i verifikimit të ankimit e kalon çështjen për gjykim, vendimi është i pakundërshtueshëm, nga pikëpamja procedurale, në komitetin disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Kur çështja kalon për gjykim, kryetari i komisionit të verifikimit të ankimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë e përfaqëson çështjen përpara komitetit disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në cilësinë e palës.
Neni 40/2
1. Nënkomisioni i verifikimit të ankimit merr vendim për rrëzimin e kërkesës/ankesës ose kalimin e saj për gjykim para komitetit disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe e shpall atë brenda 10 ditëve.
2. Nënkomisioni i verifikimit të ankimit, për marrjen e vendimeve, vendos me shumicë votash. Në rastet kur rezultati i votimit është i barabartë, çështja kalon për gjykim.
3. Nënkomisioni i verifikimit të ankimit duhet t’u dërgojë palëve kopje të vendimit të shpallur prej tij.
Neni 41
1. Masat disiplinore jepen sipas një procedure, e cila garanton të drejtën për t’u informuar, për të kërkuar sqarime rreth fakteve, për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.
2. Palët në procedimin disiplinor kanë të drejtë të paraqiten dhe të japin shpjegime në seancë, vetë ose nëpërmjet mbrojtjes e përfaqësimit me avokat. Nëse njëra ose të dyja palët nuk paraqiten në seancë, pa motive  të arsyeshme, komiteti disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë shqyrton çështjen dhe merr vendim në mungesë të tyre.
3. Gjatë procedurës ankimore, komisioni disiplinor mund të dëgjojë shpjegime nga palët dhe dëshmitarët e tyre.
4. Shpjegimet e palëve dhe dëshmitë në seancë mund të jepen me gojë ose me shkrim.
5. Komiteti disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë pranon dëshmitë dhe dokumentet e paraqitura para tij, me cilësinë e provës dhe i çmon ato sipas bindjes së formuar pas shqyrtimit të tyre në tërësi.
6. Masat disiplinore jepen brenda 3 muajve nga data e konstatimit të shkeljes, por jo më vonë se 5 vjet nga çasti i kryerjes së saj.
Neni 43
Për shkelje të dispozitave që rregullojnë ushtrimin e profesionit të avokatit, komisioni disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë mund të japë një nga masat disiplionore të mëposhtme:
a) vërejtje me shkrim;
b) gjobë nga 5 000 (pesë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
c) pezullimin e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit për një periudhë nga tre muaj deri në dy vjet;
ç) heqjen e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit.
Neni 44
1. Kur komiteti disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në përfundim të shqyrtimit të ankesës/kërkesës, e deklaron avokatin fajtor, përveç masave të parashikuara në nenin 43 të këtij ligji, mund t’i kërkojë avokatit që:
a) të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e problemit në fjalë;
b) t’i kompensojë dëmin e shkaktuar kërkuesit/ankuesit apo palëve të tjera të dëmtuara nga veprimet e tij, në masën që çmohet e drejtë nga rrethanat, që rezultojnë nga shqyrtimi i ankesës/kërkesës.
2. Komiteti disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë urdhëron avokatin e deklaruar fajtor të paguajë shpenzimet e palëve dhe të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për përballimin e çështjes disiplinore në fjalë.
Neni 45
1. Komiteti disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë gjykon çështjen brenda 30 ditëve nga data e regjistrimit të materialit për ankim. Ky komitet, me kërkesë të njërës prej palëve, mund të shtyjë, për shkaqe të përligjura, afatin e gjykimit, por jo më shumë se 30 ditë nga data e caktimit të gjykimit. Vendimi i këtij komiteti duhet të jetë i arsyetuar dhe u njoftohet palëve brenda 3 ditëve nga përfundimi i gjykimit.
2. Vendimi i komitetit disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë mund të ankimohet nga pala ankuese/kërkuese ose avokati në gjykatën që ka kompetencë shqyrtimin e mosmarrëveshjes brenda 15 ditëve nga data e njoftimit. Ankimi bëhet edhe në rast se vendimi nuk merret brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.
Neni 45/1
1. Për veprimtarinë e mësipërme, Dhoma Kombëtare e Avokatisë miraton tarifat e shpërblimit.
2. Rregulla të hollësishme për shpenzimet përkatëse përcaktohen në rregulloren e komitetit disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Neni 46
Dhoma Kombëtare e Avokatisë regjistron vendimet disiplinore dhe njofton Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm për këto vendime.
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 48
1. Ministria e Drejtësisë kujdeset që veprimtaria e avokatisë të ushtrohet normalisht dhe në përputhje me ligjin.
2. Rregullat e hollësishme për ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me këtë ligj, caktohen në statutin dhe në “Kodin e etikës së avokatit”, të miratuara nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
3. Ministri i Drejtësisë dhe Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pasi marrin mendimin e Ministrisë së Financave, caktojnë tarifat e shpërblimit të avokatëve për dhënien e ndihmës juridike.
4. Ministri i Drejtësisë dhe Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përcaktojnë me vendim të përbashkët shpenzimet për regjistrimin e kandidatëve për avokatë, organizimin e provimit dhe shpalljen e rezultateve të tij, të cilat duhet të jenë të barabarta me koston që duhet të përballohet në këtë rast, si dhe tarifën e marrjes së licencës për avokatët.
Ligji nr. 7827, datë 31.5.1994 “Për avokatinë në Republikën e Shqipërisë”, shfuqizohet.Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.Ministria e Drejtesise-Legjislacioni

No Comments Yet

Leave a Reply

Pages